Milani pësoi humbjen e parë në kampionat nën drejtimin e Ruben Amorim, duke u mposhtur 4-2 nga Bologna në “San Siro”, vetëm pak ditë përpara derbit.
Rossonerët arritën ta përmbysnin fillimisht rezultatin falë dy golave të Cisse, por u shembën në pjesën e dytë përballë një Bologna të udhëhequr nga Samuel Mbangula, i cili realizoi tripletë.
Ish-lojtari i Juventusit hapi rezultatin pas vetëm pak minutash, duke përfituar nga puna e Zorteas. Milani reagoi me Cisse, i cili realizoi dy herë dhe e dërgoi skuadrën e Amorim në avantazh 2-1.
Gjithçka ndryshoi pas pushimit.
Në minutën e 60-të, një krosim i Mirandas përfundoi me autogolin e Bartesaghit për 2-2. Vetëm pak minuta më vonë, Miranda ishte sërish protagonist, duke asistuar Mbangulan, i cili kaloi Bologna-n në avantazh.
Milani tentoi të reagonte me aktivizimin e Pulisic dhe Camarda, por pa arritur të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes.
Në fund, një kundërsulm i Bologna-s i dha mundësinë Mbangulas të kompletonte tripletën personale dhe të vuloste rezultatin 4-2.
Humbja e zbret Milanin në vendin e pestë, shtatë pikë pas Interit dhe Lazios, ndërsa Rossonerët tashmë duhet të përgatiten për derbin me shumë pikëpyetje mbi formën e tyre.
Për Bologna-n, kjo ishte fitorja e tretë radhazi në transfertë dhe një tjetër rezultat i rëndësishëm për skuadrën e Palladinos.











