Largimi i Cristiano Ronaldos nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë vazhdon të shkaktojë reagime të shumta, ndërsa këtë herë ka ndërhyrë edhe motra e tij, Elma Aveiro.
Përmes profilit të saj në Instagram, ajo shpërndau një postim që kritikonte mënyrën se si është trajtuar Ronaldo gjatë situatës së fundit me kombëtaren.
“Cristiano meritonte më shumë respekt. Kombëtarja meritonte kushte më të mira dhe gazetaria portugeze më shumë konkurrencë e më pak spekulime”, thuhej në postimin e shpërndarë prej saj.
Mesazhi vijonte me tone edhe më të ashpra: “Ne portugezët nuk meritojmë të jemi më të mirët në asgjë. Jemi ziliqarë, përçmues dhe injorantë. Meritojmë të kthehemi në mediokritetin që kishim në futboll para Cristianos.”
Elma Aveiro e shoqëroi postimin me komentin “Mjafton kaq”, duke treguar hapur mbështetjen për vëllain e saj.
Situata shpërtheu pas deklaratave të trajnerit Jorge Jesus për mosaktivizimin e Ronaldos ndaj Norvegjisë. Pas një bisede mes trajnerit, lojtarit dhe presidentit të Federatës Portugeze, Pedro Proença, Ronaldo vendosi të largohej nga grumbullimi.
Vetë CR7 reagoi më pas duke deklaruar se “në momentin e duhur do të tregojë të vërtetën” për arsyet e vendimit të tij.











