Milani ka vendosur në shënjestër Nicolò Tresoldin, sulmuesin 22-vjeçar të Club Brugge që shkëlqeu me tripletë ndaj Interit në “San Siro”.
Megjithatë, interesimi i kuqezinjve nuk ka lindur pas paraqitjes së tij të fundit. Tresoldi ndiqet prej kohësh nga Milani dhe në klub ekzistojnë disa raporte pozitive për të, ndërsa Gerry Cardinale kërkon të mbahet vazhdimisht i informuar për të ardhmen e sulmuesit.
Milani po monitoron situatën së bashku me përfaqësuesit e lojtarit dhe mund të tentojë një lëvizje si në merkaton e janarit, ashtu edhe gjatë verës së ardhshme.
Operacioni, megjithatë, nuk pritet të jetë i lirë. Club Brugge refuzoi një ofertë prej 35 milionë eurosh nga Roma gjatë muajit gusht, ndërsa pas paraqitjeve të fundit vlerësimi i Tresoldit ka kaluar tashmë shifrën e 50 milionë eurove.
Për sulmuesin ka interes edhe nga klube të tjera, përfshirë Interin, por Milani mund të ketë një avantazh të rëndësishëm: Tresoldi është tifoz i kuqezinjve që nga fëmijëria.
Babai i tij, Emanuele Tresoldi, e konfirmoi këtë javë.
“Djali im është tifoz i Milanit dhe ëndrra e tij është të veshë fanellën kuqezi. Nëse do ta telefononte Interi, nuk jam i sigurt se do ta pranonte.”
Milani shpreson që dëshira e lojtarit të ndikojë në negociata, ashtu siç ndodhi më parë me Ardon Jasharin, i cili gjithashtu ishte tifoz i klubit përpara transferimit nga Club Brugge.
Tresoldi konsiderohet një investim si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen. Kuqezinjtë janë të vetëdijshëm se konkurrenca nga Premier League mund ta komplikojë operacionin, por nuk kanë ndërmend të tërhiqen.
Cardinale e sheh sulmuesin si një nga talentet që mund të bëhen pjesë e projektit të Milanit për vitet e ardhshme dhe, nëse krijohet mundësia e duhur, kuqezinjtë janë gati të ndërhyjnë.











