AC Milan do të rikthehet te Adidas nga vera e vitit 2028, duke firmosur një marrëveshje të madhe që pritet të vlejë rreth 500 milionë euro në total.
Kontrata e re do të zgjasë 10 vite dhe do t’i sjellë klubit kuqezi rreth 50 milionë euro në sezon, duke i dhënë fund bashkëpunimit me Puma që nisi në vitin 2018.
Rritja ekonomike është e konsiderueshme. Rreth një dekadë më parë, marrëveshja me Puma vlente afro 14 milionë euro në sezon, ndërsa rinovimi i vitit 2022 e çoi shifrën në rreth 30 milionë. Me Adidas, vlera do të rritet edhe më tej.
Marrëveshja vjen pak ditë pas një tjetër operacioni të rëndësishëm komercial të Milanit, atij me Generali dhe Interin për të drejtat e emrit të stadiumit të ri.
Rikthimi i Adidas ka edhe një domethënie historike për tifozët kuqezi. Marka gjermane ka qenë sponsor teknik i Milanit në disa nga periudhat më të suksesshme të klubit.
Adidas ishte pjesë e Milanit në fillim të viteve ’90 dhe më pas nga viti 1998 deri në 2018, periudhë gjatë së cilës klubi fitoi disa trofe të mëdhenj.
Me fanellat Adidas, Milan fitoi Scudetton me Alberto Zaccheronin, ndërsa nën drejtimin e Carlo Ancelottit triumfoi në Champions League në vitet 2003 dhe 2007.
Marrëveshja e re pritet të nisë zyrtarisht në verën e vitit 2028, duke rikthyer një nga partneritetet më ikonike në historinë e futbollit italian.











