Real Madrid duket se ka fituar garën për një nga talentet më të mëdhenj të brezit të ri në futbollin anglez.
Sipas Sky Sport DE, klubi madrilen ka arritur një marrëveshje verbale në parim për transferimin e JJ Gabriel, 16-vjeçarit të akademisë së Manchester United.
Marrëveshja ende nuk është firmosur zyrtarisht, por Real Madrid konsiderohet aktualisht në avantazh të qartë ndaj Barcelonës, Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain, që gjithashtu kishin shfaqur interes për lojtarin.
Plani aktual parashikon që Gabriel të largohet nga Manchester United që në janar, ndërsa kalimi i plotë në Madrid pritet të konkretizohet në vitin 2027, pasi të përfundojë procesi për marrjen e një pasaporte të Bashkimit Europian.
Bayern Munich kishte mbajtur prej kohësh kontakte me rrethin e lojtarit, por raportohet se u tërhoq për shkak të kërkesave financiare dhe dëshirës së qartë të 16-vjeçarit për të luajtur në “Santiago Bernabéu”.
JJ Gabriel vlerësohet nga skautët europianë si një nga talentet më premtues ofensivë të brezit të tij dhe ka spikatur me shifra të larta golash në kategoritë e të rinjve të Manchester United.
Nëse gjithçka finalizohet, Real Madrid do të siguronte një tjetër talent të madh për të ardhmen, duke lënë pas disa prej rivalëve më të mëdhenj europianë në garën për firmën e tij.











