Lionel Messi është pranë një tjetër investimi të rëndësishëm në futbollin spanjoll. Eldense, klub që militon në kategorinë e dytë, ka njoftuar se argjentinasi ka arritur një marrëveshje paraprake për t’u bërë aksioneri kryesor i klubit.
Sipas njoftimit të Eldense, Messi ka rënë dakord në parim për të blerë aksionet që aktualisht zotërohen nga Grupo TH Soluciones. Marrëveshja duhet të kalojë ende disa procedura ligjore dhe kontraktuale, procesin e verifikimit financiar, si edhe të marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të Sportit në Spanjë.
Ky do të ishte klubi i dytë spanjoll ku Messi investon. Në prill, ish-ylli i Barcelonës bleu Cornella, klub katalanas që aktualisht luan në kategorinë e pestë të futbollit spanjoll.
Eldense e ka nisur me vështirësi sezonin, me vetëm dy pikë në katër ndeshje dhe ndodhet në vendin e 20-të në La Liga 2. Klubi është ndarë gjithashtu së fundmi nga trajneri Claudio Barragan.
39-vjeçari vazhdon aktualisht karrierën te Inter Miami, ndërsa ky investim e forcon edhe më shumë lidhjen e tij me futbollin spanjoll, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij me Barcelonën.











