Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së Bledar Dautit dhe Dashamir Tahirit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës, 8 shtator, në zonën e Laprakës.
Dy të plagosurit, 39 dhe 35 vjeç, u paraqitën në spital rreth orës 21:20, me plagë të dyshuara të shkaktuara nga arma e zjarrit. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se mes dy personave të plagosur dhe autorit ka pasur një konflikt të hershëm. Për momentin, hetuesit nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse takimi mes tyre ka qenë i rastësishëm apo nëse palët kishin lënë një takim për t’u sqaruar.
Një element që po vështirëson hetimin është fakti se dy të plagosurit nuk kanë dhënë deklarime para hetuesve lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e konfliktit.











