Mikel Merino ishte sërish njeriu vendimtar për Spanjën. Mesfushori hyri nga stoli dhe shënoi golin që eliminoi Belgjikën, duke dërguar “La Rojan” në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.
Pas ndeshjes, Merino nuk e fshehu emocionin për një tjetër moment të madh në këtë turne.
“Ende nuk e besoj. Ta bësh një herë mendon se nuk do të ndodhë më për shumë kohë, por ndodhi sërish. Duket se rastësitë nuk ekzistojnë. Nëse hyn i përgatitur, topi të bie përsëri aty ku duhet. Jam shumë i lumtur”, u shpreh ai.
Mesfushori pranoi se është e vështirë të përsëriten gjithmonë momente të tilla, por theksoi se Spanja tani është vetëm dy ndeshje larg titullit botëror.
“Dy ndeshje për një kampionat bote. Shpresojmë t’ia dalim”, tha Merino.
Ai foli edhe për rëndësinë që ka një gjysmëfinale Botërori për vendin, duke e cilësuar si një moment që bashkon të gjithë Spanjën.
“Është një ngjarje sociale, bashkon gjithë vendin. Të sjellësh kaq shumë gëzim është krenari”, shtoi mesfushori.
Luis de la Fuente vlerësoi maksimalisht skuadrën e tij pas kualifikimit dhe u ndal veçanërisht te Merino.
“Jam shumë krenar që drejtoj një skuadër kaq të përkushtuar. Merino ka shumë cilësi, është lojtar i nivelit botëror. Është i përshtatur perfekt për këtë model loje. Jemi me fat që e kemi dhe kur kemi nevojë për të, ai është gjithmonë aty”, deklaroi trajneri spanjoll.
Përballja e radhës do të jetë ndaj Francës, një gjysmëfinale e madhe mes dy prej skuadrave më të forta të turneut. De la Fuente u shpreh se Spanja ka të drejtë të besojë te fitorja.
“Është normale të mendojmë se do të luftojmë për të mundur Francën. Edhe ata do të jenë të shqetësuar. Një skuadër e madhe do të përballet me një tjetër skuadër të madhe”, tha ai.
Ndërkohë, Lamine Yamal u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes nga Komiteti i Ekspertëve të FIFA-s. Talenti spanjoll ishte një kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtjen belge, me gjashtë goditje, dymbëdhjetë prekje në zonë dhe katër driblime të suksesshme.
Yamal ka arritur në 21 driblime në këtë Botëror, një shifër që e vendos mes adoleshentëve më të spikatur në fazat finale të turneut.
Edhe De la Fuente vazhdon të shkruajë histori. Trajneri ka arritur shtatë fitore në shtatë ndeshje me eliminim direkt në Botëror dhe Europian, duke barazuar rekordin e Vicente del Bosques me Spanjën. Përpara tij mbetet vetëm Vittorio Pozzo, me tetë fitore radhazi me Italinë kampione bote.











