Bashkia e Maliqit është një nga 15 njësitë e vëtëqeverisjes vendore që nuk do të ekzistojë më tashmë që Reforma Territoriale u miratua në Kuvend. Me shkrirjen e bashkisë, banorët e Maliqit shprehen të tradhtuar nga qeveria.
Ata pohojnë se reforma do të sjellë përkeqësim për shërbimet që ata marrin, për shkak të largësisë të fshatrave të Maliqit dhe Bashkisë së Korçës.
“100% u tradhtuan. Tradhtia më e madhe që bëri Parlamenti dhe deputetët e Qarkut të Korçës. Jazëk u qoftë! Erdhën, morën votat dhe e tradhtuan. Maliqi mbaroi. Kjo është fatkeqësi. Ore, do shkosh në Korçë për një hall. Për Moglicë e Dushar mos pyet më, të marrin pasaportën me vete, të hyjnë në ndonjë hotel të flenë se problem, brenda ditës nuk zgjidhin më”, thotë një banor.
Bashkia e Maliqit ka mbi 60 fshatra në administrim dhe në të jetojnë rreth 30 mijë banorë, teksa bëhet bashkia me popullsinë më të madhe që preket nga reforma territoriale.











