Mikel Merino ka rikthyer në kujtesë një nga momentet më të frikshme të karrierës së tij, sulmin me eksploziv ndaj autobusit të Borussia Dortmundit në vitin 2017.
Mesfushori spanjoll ishte vetëm 20 vjeç kur autobusi i Dortmundit u godit nga tre shpërthime teksa skuadra po udhëtonte drejt stadiumit për ndeshjen e Champions League ndaj Monacos.
Merino ka zbuluar se një ndryshim i minutës së fundit në vendin ku u ul mund t’i ketë shpëtuar jetën.
“Zakonisht ulesha në një vend të caktuar, por atë ditë këmbët i ndjeja pak të tendosura dhe zgjodha të ulesha më përpara, ku sediljet shtriheshin. Ndoshta kjo më shpëtoi jetën”, tregoi ai për “The Players’ Tribune”.
Një copë e madhe metali nga shpërthimi përfundoi pikërisht në mbështetësen e kokës së sediljes ku Merino ulej zakonisht.
“Mendoj se kam një engjëll mbi shpatull. Jam vërtet me fat që jam ende gjallë.”
Spanjolli kujtoi zhurmën e tmerrshme, autobusin që thuajse u përmbys, gjakun në dysheme, tymin dhe britmat e shokëve të skuadrës. Marc Bartra u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një operacioni pas dëmtimit në kyçin e dorës.
Merino tregoi se ajo përvojë e ka shoqëruar edhe vite më vonë, veçanërisht gjatë rikuperimit nga dëmtimi i rëndë në këmbën e djathtë.
Mjekët i kishin parashikuar rreth gjashtë muaj jashtë fushave, ndërsa Kupa e Botës ishte vetëm katër muaj larg.
“Kur ia tregova gruas sime, Lola, atëherë u thyeva emocionalisht. Mendja ime e kishte kuptuar, por zemra kishte nevojë ta dëgjonte me zë.”
Merino vendosi t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale dhe bëri gjithçka për t’u rikthyer në kohë. Ai arriti të luante minutat e para pas dëmtimit në fundin e sezonit dhe më pas mori lajmin se ishte përfshirë në skuadrën e Spanjës për Kupën e Botës.
“Duhej të luaja. Doja të isha në Kupën e Botës me çdo kusht.”










