Cristian Chivu ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Interi pas humbjes ndaj Club Brugge në Champions League, ndërsa zikaltrit përgatiten për transfertën ndaj Bolognas në Serie A.
Trajneri rumun pranoi se skuadra humbi kontrollin në pjesën e fundit të ndeshjes europiane.
“Pranojmë përgjegjësitë dhe atë që nuk funksionoi, sidomos në 30 minutat e fundit. Krijuam shumë dhe patëm raste të mëdha me Lautaron dhe Dimarcon, por pas golit të dytë u shemb gjithçka. Nuk duhet të qajmë për atë që ndodhi, duhet të reagojmë.”
Chivu paralajmëroi se Bologna do të jetë një kundërshtar i vështirë, duke vlerësuar punën e Raffaele Palladinos.
“Palladino i ka dhënë skuadrës një identitet të ri, me vertikalitet, energji dhe intensitet. Nëse nuk fiton duelet dhe nuk vrapon në të njëjtin nivel me ta, mund të vuash.”
Një nga problemet kryesore të Interit mbetet mbrojtja, me 14 gola të pësuar në tetë ndeshje. Chivu mori mbi vete përgjegjësinë për përmirësimin e skuadrës.
“Ndryshimi duhet të nisë nga unë, sepse jam përgjegjësi kryesor. Duhet të shpjegoj më mirë dhe të jem më i qartë për atë që duhet bërë. Janë detaje të vogla, por bëjnë diferencën.”
Interi do të vazhdojë të jetë pa Lautaro Martinez, i cili pritet të rikthehet vetëm pas pushimit të nëntorit.
“Duhet të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë, me ose pa Lautaron. Kjo skuadër ka disa liderë.”
Chivu foli gjithashtu me shumë vlerësim për Bonny, i cili mund të marrë më shumë hapësira në mungesë të kapitenit.
“Bonny më ka impresionuar shumë. Sa herë ka hyrë ka treguar cilësitë e tij. Kemi një sulmues të rëndësishëm dhe momenti i tij si titullar do të vijë.”
Ndërkohë, edhe Pavard do të mungojë ndaj Bolognas për shkak të një problemi të lehtë fizik.











