Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, ku sipas dëshmisë së dhënë nga DJ Armand Zeneli, Sokrat Vata pas krimit i ka kërkuar DJ-t të club-it ta dërgonte në spital duke mos i treguar se çfarë kishte ndodhur.
Sipas Report Tv, Armand Zeneli ka dëshmuar se Vata ishte mbuluar me gjak “kokë e këmbë”, ndërsa dorën e mbante poshtë bluzës. Pasi e ka marrë në makinë Zeneli shprehet se Sokrati i ka kërkuar që të ndalojë në një rrugë me kalldrëm dhe pas disa hapave zbathur, pak metra larg makinës 29-vjeçari ka hedhur diçla me forcë.
“Rreth orës 05:00 të datës 18.08.2026 pashë rojet e sigurisë që iknin me vrap në drejtim të hyrjes së klubit. Në vazhdim kur isha te pjesa e restorantit kanë ardhur një grup kolegësh pune të panikosur të cilët më thanë ‘merre Sokratin dhe çoje në spital se ti ke makinë këtu afër’.
Në drejtimin tim ka ardhur Sokrat Vata i cili ishte i gjakosur kokë e këmbë dhe mbante dorën poshtë bluzës në pjesën e barkut dhe më ka thënë disa herë “ku e ke makinën, më ço në spital, nxito o …’. Unë njoftova menaxherin në lidhje me situatën dhe më pas ika me vrap për të marrë makinën te parkimi dhe kur dola jashtë pashë një grup turistësh të cilët po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë.
Kam marrë makinën dhe në pjesën e sipërme të lokalit ka dalë Sokrati i cili kishte hipur në pjesën e pasme të makinës dhe u nisa menjëherë në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit, ku Sokrati gjatë rrugës më tha ‘ik vetëm drejt’ dhe pas dy-tre minutash kur shkuan në një rrugë me kalldrëm Sokrati më ka thënë ‘ndalo këtu’ dhe ka ikur zbathur. Disa metra pak larg makinës vura re që Sokrati hodhi diçka me forcë”, ka treguar ai para hetuesve.
Pas këtij momenti, ai mësohet të jetë rrëfyer se ka shkuar në shtëpi i shokuar dhe pasi është qetësuar ka telefonuar policinë dhe ka ofruar ndihmë për kapjen e Sokratit.











