Vijoi për të tretën ditë radhazi protesta e qytetarëve përpara Kryeministrisë kundër ndërtimeve në Zvërnec.
Në një protestë që zgjati më shumë se 3 orë qytetarët kërkuan anulimin e ndërtimeve në Zvërnec si dhe dorëheqjen e Ramës dhe qeverisë.
Në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë, qytetarët brohoritën parrullat “Rama burg, Berisha burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëria nuk është për shitje” ndërsa kërkuan ndalimin e projektit në Zvërnec.
Mes pankartave, thirrjeve dhe fjalimeve të mbajtura gjatë tubimit, protestuesit kanë artikuluar një sërë kërkesash, duke nisur nga anulimi i projektit në Zvërnec deri te dorëheqja e të gjithë qeverisë.
Sipas organizatorëve, protesta nuk lidhet vetëm me Zvërnecin, por me një sërë vendimesh dhe ligjesh që sipas tyre kanë favorizuar investitorët në dëm të interesit publik.
Në deklaratën e tyre, protestuesit kërkuan
- Dorëheqjen e të gjithë qeverisë;
- Shfuqizimin e statusit që lidhet me investimet strategjike;
- Shfuqizimin e “Paketës së Maleve”;
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Protestuesit theksuan se këto janë kërkesa që lidhen me mbrojtjen e interesit kombëtar dhe se nuk pranojnë negociata për pasuritë e shqiptarëve.
“Nuk pranojmë negociata mbi pasuritë e shqiptarëve. I bëjmë thirrje çdo shqiptari të bashkohet në këtë përpjekje qytetare”, u shprehën ata.
Protesta e radhës do të mbahet nesër në orën 18:00 teksa qytetarët bënë thirrje për rritje të pjesëmarrjes.











