Kylian Mbappé ishte protagonisti kryesor i fitores së Francës ndaj Paraguajit, një sukses që i dha “Gjelave” kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës.
Megjithatë, pas ndeshjes, vëmendja nuk ishte vetëm te goli vendimtar i yllit francez, por edhe te sjellja e tij në fushë dhe pas vërshëllimës së fundit.
Sipas mediave paraguajane, Mbappé pati disa përplasje me lojtarët e Paraguajit gjatë ndeshjes dhe më pas refuzoi t’i jepte dorën portierit Orlando Gill. Për më tepër, ai thuhet se festoi fitoren përballë tij, një gjest që nuk është pritur mirë nga skuadra dhe shtypi vendas.
Gazeta paraguajane “Última Hora” e vendosi në fokus sjelljen e sulmuesit francez, duke shkruar se Mbappé “injoroi bashkëkombësin tonë dhe festoi fitoren para tij”.
E njëjta media e cilësoi qëndrimin e tij si arrogant, duke e quajtur yllin e Real Madridit “fitues i hidhur”.
Megjithatë, jo të gjitha mediat në Paraguaj u fokusuan te Mbappé. “ABC Color” vlerësoi më shumë paraqitjen e kombëtares, duke theksuar se Paraguaji luftoi deri në fund dhe tregoi karakter në përballjen me një nga skuadrat favorite të turneut.
Edhe “La Nación” u ndal te loja e skuadrës së Gustavo Alfaros, duke shkruar se Franca nuk arriti të përsëriste paraqitjen e madhe ndaj Suedisë dhe vuajti përballë një Paraguaji luftarak e të fortë në mbrojtje.
Pavarësisht eliminimit, Paraguaji largohet me kokën lart nga Botërori, ndërsa Franca vazhdon rrugëtimin drejt trofeut, por me polemika rreth sjelljes së yllit të saj më të madh.











