Të shtëna me armë zjarri janë raportuar ditën e sotme në Afrikën e Jugut. Bëhet me dije se nga të shtënat masive në një hostel në Afrikën e Jugut të paktën 11 persona janë vrarë.
Ndërkohë, katërmbëdhjetë të tjerë u plagosën kur persona të armatosur sulmuan lokalin në lagjen Saulsville, në perëndim të kryeqytetit Pretoria këtë të shtunë. Midis viktimave është edhe një fëmijë trevjeçar.
Incidenti ndodhi në orën 4:30 të mëngjesit (ora lokale), kur tre persona të armatosur hynë në ndërtesë dhe qëlluan. Motivi i sulmit mbetet i panjohur, ndërsa nuk janë bërë arrestime.
Afrika e Jugut, vendi më i industrializuar i Afrikës, është i prekur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Shumë njerëz mbajnë leje për armëmbajtje për mbrojtje personale. Sipas të dhënave të policisë, rreth 63 persona vriten çdo ditë midis prillit dhe shtatorit.










