Roberto Mancini është prezantuar si trajneri i ri i kombëtares italiane, tre vite pas largimit të tij të bujshëm drejt Arabisë Saudite. Në krah të tij do të jetë Claudio Ranieri, i emëruar drejtor teknik dhe president i Club Italia.
Mancini pranoi hapur se largimi i tij në vitin 2023 ishte një gabim dhe falënderoi presidentin Giovanni Malagò për mundësinë e dytë.
“Gabova dhe më vjen keq. Jam i dashuruar me kombëtaren, ishte si të humbisja gruan e jetës për shkak të një gabimi. Fati dhe presidenti Malagò po më japin mundësinë të korrigjohem. Jam këtu për të fituar trofe të rëndësishëm dhe për të qëndruar sa më gjatë”, deklaroi ai.
Trajneri italian konfirmoi se skuadra do të ndërtohet mbi modulin 4-3-3, me një filozofi sulmuese. Objektivat do të jenë Liga e Kombeve, Kampionati Europian dhe Kupa e Botës.
Mancini kërkoi gjithashtu më shumë besim te futbollistët e rinj italianë, ndërsa për sulmin përmendi emra si Pio Esposito, Moise Kean dhe Mateo Retegui.
Ranieri, nga ana tjetër, theksoi nevojën për të ulur kostot e shkollave të futbollit dhe për të përmirësuar zhvillimin teknik të të rinjve. Ai kërkoi gjithashtu më shumë hapësira për lojtarët italianë në Serie A dhe Serie B.
Italia nis kështu një projekt të ri, me Mancinin që kërkon të fitojë përsëri besimin e tifozëve dhe ta rikthejë kombëtaren mes më të mirave.











