Trajneri i PSG, Luis Enrique, ka folur para mediave në “Allianz Arena”, në prag të ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Champions League ndaj Bayern Munich.
Skuadra franceze vjen me një avantazh të lehtë nga ndeshja e parë në Paris, por Luis Enrique ka bërë të qartë se PSG nuk do të hyjë në fushë për të mbrojtur rezultatin. Sipas tij, objektivi i vetëm është fitorja.
“Ne duam ta fitojmë ndeshjen. Nesër nuk kemi pse të mbrojmë asnjë rezultat, sepse synimi ynë është të fitojmë”, u shpreh trajneri spanjoll.
Luis Enrique pranoi se përballja ndaj Bayern do të jetë shumë e vështirë, duke e cilësuar kundërshtarin si një nga ekipet më të forta që PSG ka hasur. Për të motivuar lojtarët, ai kujtoi një shprehje të legjendës së tenisit, Rafa Nadal.
“Kur shoh ndeshje të tilla, më kujtohet një frazë e Rafa Nadal, i cili thoshte se rivaliteti mes Federer dhe Djokovic ishte motivim për të. Unë u them lojtarëve të mi se ne e admirojmë Bayern, sepse luan futboll shumë të mirë, por kjo duhet të na motivojë për të gjetur nivelin tonë më të mirë”, tha Luis Enrique.
Trajneri i PSG theksoi gjithashtu rëndësinë e kontrollit emocional në një ndeshje të tillë, ku presioni është shumë i madh. Ai shtoi se prania e rreth 4 mijë tifozëve të PSG në Mynih do të jetë një motivim shtesë për skuadrën.
Luis Enrique u shpreh se rikthimi në Mynih ka një kuptim të veçantë për PSG, pasi aty skuadra fitoi Champions League sezonin e kaluar. Ai kujtoi gjithashtu se edhe me Barcelona kishte luajtur një gjysmëfinale në këtë stadium, në sezonin kur më pas fitoi trofeun.
Pavarësisht avantazhit nga ndeshja e parë, trajneri spanjoll kërkon që PSG të qëndrojë besnike ndaj identitetit të saj.
“Kemi arritur deri këtu sepse kemi bërë një punë të madhe. Tani është momenti të japim edhe pak më shumë për të shkuar në finale. Duhet të jemi sa më të vërtetë ndaj vetes si skuadër”, përfundoi Luis Enrique.











