Përplasja ligjore mes Kylian Mbappé dhe Paris Saint-Germain po shkon drejt fundit, pasi çështja për ngacmim moral e ngritur nga sulmuesi francez është mbyllur.
Sipas AFP, gjyqtarët hetues në Paris vendosën në fund të muajit maj 2026 të mos e vazhdonin çështjen për mungesë provash të mjaftueshme.
Mbappé kishte paraqitur denoncimin në maj të vitit 2025, duke akuzuar PSG-në për ngacmim psikologjik dhe tentativë zhvatjeje. Megjithatë, lojtari e tërhoqi më pas denoncimin, gjë që ndikoi edhe në vendimin për mbylljen e hetimit.
Një tjetër përplasje mes palëve lidhej me pagat, bonuset dhe pagesat e tjera që Mbappé pretendonte se nuk i kishte marrë nga PSG pas largimit të tij drejt Real Madridit në vitin 2024.
Në dhjetor 2025, gjykata e punës në Paris urdhëroi PSG-në t’i paguante francezit rreth 61 milionë euro. Klubi nuk e apeloi vendimin, duke e bërë atë përfundimtar.
Kështu, dy frontet kryesore ligjore mes Mbappé dhe PSG-së konsiderohen tashmë të mbyllura.











