Polemikat për Kupën e Afrikës kanë shpërthyer sërish, duke nisur nga edicioni i 35 i këtij turneu që do të zhvillohet nga 21 dhjetori deri më 18 janar. Turneu është shumë i diskutuar mes klubeve evropiane dhe Federatave afrikane, me një çështje kryesore për humbjen e lojtarëve për dy muaj, që ndikon direkt në klubet që përballen me një kalendar të ngjeshur.
Tradicionalisht, data e startit ka sjellë përplasje dhe tension midis klubeve dhe përfaqësueseve, me këtë edicion që nuk bën përjashtim. Përballë presionit të madh nga klube europiane, UEFA dhe ligat kombëtare, FIFA ndjeu nevojën të ndërhynte duke shtyrë datën e grumbullimit të kombëtareve për në 15 dhjetor, në vend të 8 dhjetorit, siç ishte parashikuar më parë. Në këtë mënyrë, skuadrat evropiane do të kenë mundësinë të mbajnë lojtarët e tyre afrikane edhe për disa ndeshje të fundit para pushimeve.
Ky vendim mori reagime të ashpra nga Federatat e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), që kishin organizuar dhe paguar për udhëtimet dhe akomodimet në përputhje me datat e mëparshme. Pavarësisht shqetësimeve, FIFA theksoi se do të inkurajonte bisedime bilaterale mes kombëtareve dhe klubeve për të gjetur zgjidhje, dhe në rast të mospërputhjeve do të ndërhynte vetë. Kjo praktike lidhur me periudhën e grumbullimit është e ngjashme me atë të vitit 2022, kur ekipi kombëtar i kishte 7 ditë përpara fillimit të Botërorit.
Tensionet që rrethojnë Kupën e Afrikës janë një tregues tjetër i sfidave që ka ky kompeticion, që vazhdon të ngjallë pasiguri dhe përplasje interesi. Me çdo edicion, tema të tilla rikthehen në vëmendje, duke vënë në provë marrëdhëniet mes federatave dhe klubeve në kontinentin afrikan dhe më gjerë.











