Polemika e shkaktuar nga komentet e Kylian Mbappé ka ngritur shqetësim të madh në futbollin spanjoll, pasi Kina konsiderohet një nga tregjet më të rëndësishme ndërkombëtare për LaLiga-n.
Pas deklaratës së francezit për Mao Ce Dun, të cilin e cilësoi si një “diktator kinez”, disa kompani kineze ndërprenë marrëveshjet e sponsorizimit me sulmuesin e Real Madridit, ndërsa transmetimet e kampionatit spanjoll në Kinë janë përfshirë gjithashtu nga bojkoti.
Mbappé kërkoi falje publikisht, ndërsa edhe LaLiga reagoi menjëherë për të tentuar të shmangë përshkallëzimin e situatës.
Shqetësimi më i madh lidhet me rëndësinë ekonomike të tregut kinez. Vetëm nga të drejtat televizive, LaLiga përfiton rreth 50 milionë euro në vit, ndërsa kur përfshihen sponsorizimet, marrëveshjet tregtare dhe projektet e zhvillimit të futbollit, humbjet potenciale mund të arrijnë rreth 100 milionë euro në sezon.
Precedenti që tremb futbollin spanjoll është NBA. Në vitin 2019, kampionati amerikan u përball me një bojkot të madh në Kinë pas deklaratave të një drejtuesi të Houston Rockets në mbështetje të protestave në Hong Kong. Transmetimet e NBA-së u ndërprenë për një periudhë të gjatë dhe marrëdhëniet tregtare u dëmtuan ndjeshëm.
Edhe klubet spanjolle kanë interesa të mëdha në Kinë. Real Madrid dhe Barcelona kanë prej vitesh një prani të fortë komerciale në vend, ndërsa klube të tjera si Real Betis, Espanyol dhe Valencia kanë sponsorë, akademi apo marrëveshje të tjera biznesi në tregun kinez.
Real Betis bashkëpunon me kompaninë Gree dhe ka hapur një akademi në Neijiang, ndërsa Espanyol ka marrëveshje me Kelme dhe MaxHub dhe operon akademi në disa qytete kineze.
Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, ka reaguar duke kërkuar falje për situatën dhe duke zhvilluar takime me përfaqësues diplomatikë kinezë.
“LaLiga shpreh keqardhjen e thellë për deklaratat e Kylian Mbappé, të cilat kanë shkaktuar shqetësim dhe kanë ofenduar njerëz në Kinë. E kuptojmë dëmin e shkaktuar dhe dëshirojmë t’i shprehim faljet tona të sinqerta popullit kinez”, ishte qëndrimi i LaLiga-s.
Organizata synon të ruajë marrëveshjet strategjike me institucionet kineze, përfshirë bashkëpunimin me Ligën Profesioniste të Futbollit të Kinës, i cili është në fuqi deri në vitin 2029.
Tashmë LaLiga po punon për të shmangur një krizë të zgjatur që mund të ketë pasoja të konsiderueshme financiare për kampionatin dhe klubet spanjolle.











