Polemika e Kylian Mbappé në Kinë vazhdon të ketë pasoja të forta për Real Madridin. Pavarësisht kërkimfaljeve të francezit, klubit madrilen dhe La Ligës, transmetimet e ndeshjeve të Realit nuk janë rikthyer ende normalisht në tregun kinez.
Gjithçka nisi pasi Mbappé, gjatë një paraqitjeje në programin “The Bridge”, komentoi një imazh humoristik ku fytyra e tij ishte vendosur mbi atë të ish-udhëheqësit kinez Mao Zedong. Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kinë dhe solli pasoja të menjëhershme për sulmuesin dhe klubin.
Televizioni shtetëror CCTV pezulloi transmetimet e La Ligës, ndërsa platforma Migu vijoi të transmetonte pjesën më të madhe të kampionatit, por hoqi nga programacioni ndeshjen Racing Santander-Real Madrid. Në platformë u zhdukën gjithashtu disa materiale të mëparshme të klubit madrilen dhe video me golat e Mbappé.
Ambasadori i Kinës në Spanjë, Yao Jing, konfirmoi se komunikimet mes autoriteteve kineze, La Ligës dhe Real Madridit vazhdojnë, por sqaroi se për momentin nuk ka negociata formale për rikthimin e transmetimeve.
Sipas tij, reagimi i publikut kinez nuk mund të kapërcehet vetëm me një kërkimfalje dhe situatës i duhet kohë për t’u qetësuar.
Pasojat kanë prekurur edhe Mbappé personalisht. Disa kompani kineze, mes tyre Dongpeng dhe Mengniu, kanë ndërprerë bashkëpunimet komerciale me yllin francez pas shpërthimit të polemikës.
Çështja shqetëson edhe La Ligën për shkak të rëndësisë së tregut aziatik. Marrëveshjet aktuale të transmetimit me CCTV dhe Migu shtrihen deri në sezonin 2029/30 dhe vlerësohen rreth 10 milionë euro në vit.
Për momentin, nuk ka një datë të përcaktuar për normalizimin e plotë të situatës. China Media Group ka bërë të ditur se do të marrë në konsideratë kërkimfaljen e Mbappé, por edhe sjelljen e tij në vazhdim.











