Ibrahima Konaté ka folur para gjysmëfinales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Francës dhe Spanjës, duke iu përgjigjur edhe deklaratave të Lamine Yamal.
Pas fitores së Spanjës ndaj Belgjikës, talenti i Barcelonës kishte thënë se nëse Franca duhet të ketë frikë nga dikush, atëherë duhet të ketë frikë nga Spanja, duke kujtuar edhe eliminimet e mëparshme ndaj francezëve.
Konaté, tashmë lojtar i Real Madridit, u tregua i qetë në përgjigjen e tij dhe theksoi se Franca nuk ka frikë nga askush.
“Nuk duhet të kemi frikë nga askush. E rëndësishme është të ruajmë modestinë me të cilën e nisëm këtë kompeticion dhe të mos biem në këto lloj kurthesh, sidomos në një moment si ky”, u shpreh mbrojtësi francez.
Ai shtoi se Franca është e fokusuar vetëm te përgatitja e ndeshjes dhe jo te deklaratat e kundërshtarëve.
“Ai mund të thotë çfarë të dojë, ne po përgatitemi për ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Konaté.
I pyetur për mënyrën se si mund të ndalet Lamine Yamal, mbrojtësi francez theksoi se Spanja nuk është vetëm një lojtar.
“Spanja është një skuadër e jashtëzakonshme, me shumë individualitete të forta. Objektivi nuk është të përqendrohemi vetëm te një lojtar, sepse e gjithë skuadra mund të të dëmtojë. Nuk është vetëm Lamine, është e gjithë Spanja”, deklaroi ai.
Franca dhe Spanja do të përballen për të tretin vit radhazi në një gjysmëfinale. Në dy takimet e fundit, skuadra e Luis de la Fuente ka dalë fituese, fillimisht në Euro 2024 dhe më pas në një tjetër përballje dramatike të fituar 5-4.
Konaté foli edhe për atë humbje, duke theksuar se Franca nuk ishte në kushtet më të mira.
“Ishte një ndeshje e vështirë, por të jemi të sinqertë, ajo skuadër që luajti kundër Spanjës kishte shumë lojtarë që nuk kishin kimi me njëri-tjetrin. Ishte hera e parë që luanim të gjithë bashkë. Nëse situata do të ishte ndryshe, nuk mendoj se ndeshja do të kishte shkuar në të njëjtën mënyrë”, tha ai.
Edhe pse transferimi te Real Madrid u cilësua prej tij si “një ëndërr”, Konaté ka luajtur pak minuta në këtë Botëror, pasi Upamecano dhe Saliba janë vendosur si dyshja titullare në qendër të mbrojtjes së Francës.
Gjysmëfinalja mes Spanjës dhe Francës do të luhet të martën në “Dallas Stadium”, ku do të vendoset finalisti i parë i Kupës së Botës.











