Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin e koduar “Akciza 3”, në kuadër të goditjes së rasteve të kontrabandës së mallrave.
Në pranga janë vënë dy persona, të dy banues në Tiranë. Sipas Policisë, ata u kapën në flagrancë teksa transportonin me autobus mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të siguruara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të autobusit, në vende të mbyllura dhe të fshehura, shërbimet e Policisë gjetën 100 steka me cigare dhe 22 695 euro. Ndërkohë, në bagazhin e autobusit u konstatuan kuti me produkte të ndryshme deti dhe mishi, produkte bulmeti, kuti me medikamente, si dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat, autobusi dhe një aparat celular.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.











