Një kërcënim ka alarmuar sot Peshkopinë, pasi pronari i një biznesi privat është kërcënuar me shpërthim nëse nuk paguante 50 milionë lekë.
Mesazhi dyshohet se është dërguar në mënyrë të pazakontë. Autorët kanë përdorur një kuti picash, brenda së cilës, përveç kërkesës për shumën e parave, janë gjetur edhe disa materiale që dyshohet se mund të jenë pjesë e një pajisjeje artizanale të ngjashme me eksploziv.
Sinjalizimi ka vënë në lëvizje menjëherë Policinë, e cila ka izoluar një zonë në dalje të qytetit dhe ka mbajtur nën kontroll perimetrin për rreth tre orë.
Për shkak të rrezikut të mundshëm, në Peshkopi janë nisur edhe specialistët e çminimit dhe neutralizimit të lëndëve shpërthyese nga Tirana. Gjatë operacionit janë marrë masa shtesë sigurie, ndërsa subjektet që ndodheshin pranë zonës së karburantit janë mbyllur përkohësisht.
Edhe qarkullimi i automjeteve është devijuar për të shmangur kalimin pranë zonës së rrezikshme, me lëvizjen që është orientuar përmes unazës së Peshkopisë.
Në kuadër të hetimit, policia ka shoqëruar disa persona dhe po verifikon rrethanat e plota të ngjarjes. Pjesë e hetimeve është edhe përcaktimi i natyrës së materialeve të gjetura në kutinë e picave, si dhe identifikimi i personave që qëndrojnë pas kërcënimit.
Deri në daljen e një njoftimi zyrtar, mbetet për t’u sqaruar nëse materialet e gjetura përbëjnë realisht lëndë shpërthyese dhe nëse kërcënimi ka qenë pjesë e një tentative për zhvatje ndaj pronarit të biznesit.











