Vetëm dy ditë na ndajnë nga ceremonia e Topit të Artë 2026 dhe gara për çmimin më prestigjioz individual në futboll duket më e hapur se kurrë. Harry Kane dhe Lamine Yamal janë dy emrat që po dominojnë parashikimet, por Kylian Mbappé, Lionel Messi dhe disa prej yjeve të PSG-së vazhdojnë të mbeten në diskutim.
Topi i Artë do të dorëzohet të hënën, më 26 tetor, në “London Palladium”, në edicionin e 70-të të çmimit dhe për herë të parë me ceremoninë e zhvilluar në Londër. Gala nis në orën 20:00 GMT.
Sipas “The Touchline”, gara tashmë mund të jetë reduktuar në një duel mes Harry Kane dhe Lamine Yamal. Burimi pretendon se diferenca mes tyre dhe pjesës tjetër të kandidatëve mund të jetë e konsiderueshme, megjithëse nga organizatorët nuk ka asnjë konfirmim për rezultatin e votimit.
Edhe treguesit e tjerë shkojnë në këtë drejtim. “Sky Sports” raporton se Kane ka kaluar Yamal dhe është bërë favoriti aktual i kompanive të basteve, ndërsa “The Standard” e ka anglezin me kuota që në disa raste kanë zbritur deri në 1/4. Yamal mbetet sfiduesi kryesor, ndërsa Mbappé ndodhet dukshëm më pas në treg.
Edhe analiza e “Opta Analyst” e vendos Kane dhe Yamal në qendër të garës, ndërsa identifikon Mbappé dhe Messin si dy kandidatët e tjerë me argumentet më të forta.
Harry Kane – sezoni i numrave të jashtëzakonshëm
Kandidatura e Kane mbështetet mbi një sezon individual spektakolar. Sulmuesi i Bayern Munich realizoi 61 gola në 51 ndeshje në të gjitha kompeticionet, 36 prej tyre në Bundesliga, duke fituar edhe Këpucën e Artë europiane.
Ai realizoi gjithashtu 14 gola në Champions League dhe gjashtë të tjerë në Kupën e Botës. Bayern fitoi Bundesliga-n dhe Kupën e Gjermanisë, ndërsa Kane ishte figura kryesore e skuadrës gjatë gjithë sezonit.
Lamine Yamal – Botërori mund të bëjë diferencën
Në krahun tjetër është Lamine Yamal. Vetëm 19 vjeç, ylli i Barcelonës ishte një nga lojtarët më produktivë në Europë gjatë sezonit 2025-26.
Ai regjistroi 24 gola dhe 17 asistime me Barcelonën, për një total prej 41 kontributesh direkte në gola. Por karta më e fortë e Yamal është triumfi me Spanjën në Kupën e Botës.
Edhe pse shifrat individuale të tij në Botëror nuk ishin në nivelin e atyre me Barcelonën, fakti që ishte pjesë e skuadrës kampione të botës mund të peshojë shumë në votimin përfundimtar.
Mbappé, statistika të frikshme por pa trofeun e madh
Kylian Mbappé ka ndoshta disa nga shifrat individuale më të forta mes kandidatëve.
Francezi shënoi 42 gola në 44 ndeshje për Real Madridin, ishte golashënuesi më i mirë i LaLiga-s me 25 gola dhe i Champions League me 15.
Në Kupën e Botës realizoi plot 10 gola, fitoi Këpucën e Artë dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e kompeticionit. Problemi i tij është mungesa e trofeve të mëdhenj me Real Madridin dhe fakti që Franca nuk arriti të fitonte Botërorin.
Messi, një Botëror i madh dhe shifra fantastike në MLS
Lionel Messi kërkon Topin e Artë të nëntë në karrierë dhe, edhe në moshën 39-vjeçare, ka argumente të forta.
Argjentinasi shënoi tetë gola dhe dha katër asistime në Kupën e Botës, duke udhëhequr Argjentinën deri në finale.
Edhe me Inter Miami shifrat ishin të jashtëzakonshme: 29 gola dhe 23 asistime në vetëm 30 paraqitje në MLS. Megjithatë, niveli i kampionatit amerikan mund të ketë më pak peshë te votuesit krahasuar me ligat kryesore europiane.
Po kandidatët e tjerë?
Rodri ka në favor triumfin me Spanjën dhe çmimin si lojtari më i mirë i Kupës së Botës, ndërsa Michael Olise zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Bayernin dhe regjistroi shtatë asistime në Botëror.
Khvicha Kvaratskhelia dhe Ousmane Dembélé kanë gjithashtu suksesin e PSG-së në Champions League si një argument të rëndësishëm, ndërsa Fabián Ruiz është një tjetër prej 30 kandidatëve zyrtarë. Megjithatë, tregjet aktuale i vendosin të gjithë dukshëm pas dyshes Kane-Yamal.
Edhe tifozët janë të ndarë
Sondazhet publike tregojnë se nuk ekziston një konsensus absolut. Në një sondazh të “Marca”, të raportuar nga “GOAL”, ku kishin marrë pjesë mbi 233 mijë persona, Lamine Yamal kryesonte me 29% të votave, ndërsa Mbappé ishte i dyti me 19%.
Por sondazhet e tifozëve nuk përcaktojnë fituesin. Topi i Artë votohet nga një juri ndërkombëtare gazetarësh dhe kriteret kryesore janë paraqitjet individuale, sukseset kolektive dhe trofetë, si dhe klasi e “fair play”. Periudha që merret në konsideratë për çmimin e këtij viti është nga 3 gushti 2025 deri më 19 korrik 2026.
Kane apo Yamal? Mbappé, Messi apo një surprizë?
Tani është radha juaj.
Votoni në sondazhin tonë për lojtarin që mendoni se meriton Topin e Artë 2026:










