Vincent Kompany do të ketë nevojë për disa javë për t’u rikuperuar pas kolapsit në qendrën stërvitore të Bayern Munich, ndërsa ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e problemit shëndetësor vazhdojnë.
Sipas “BBC”, trajneri 40-vjeçar ndodhet ende në spital në gjendje të qëndrueshme, ndërsa drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, bëri të qartë se klubi nuk pret një rikthim të shpejtë të belgut.
“Vinnie do të marrë gjithë kohën që i nevojitet. Fillimisht duhet të kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe më pas do të flasim me qetësi për kohën e rikuperimit. Nuk po flasim për ditë, por për javë”, deklaroi Eberl.
Kompany u dërgua në spital pasi u rrëzua teksa ndiqte stërvitjen e ekipit të dytë të Bayernit. Ai kishte qenë i sëmurë nga një virus gjatë ditëve të fundit dhe kishte munguar edhe në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Champions League ndaj Arsenalit.
Megjithatë, belgu ishte rikthyer në stol për barazimin 2-2 ndaj londinezëve, diçka që tani ka bërë Eberl të pyesë nëse klubi duhej ta kishte ndalur më herët.
“Vinnie është një punëtor i madh. Nëse nuk i dëgjon sinjalet e vogla që të dërgon trupi, në një moment ai do të bërtasë. Tani do t’i japim kohën e nevojshme dhe do të përpiqemi, më shumë se më parë, ta mbrojmë edhe nga vetja”, shtoi drejtori sportiv.
Bayerni kishte marrë në konsideratë edhe mundësinë për të kërkuar shtyrjen e ndeshjes së së dielës ndaj Freiburgut, por drejtuesit kanë vendosur që skuadra të zbresë në fushë.
Në mungesë të Kompanyt, përgjegjësitë sportive i kanë kaluar stafit të tij dhe ndihmësit Aaron Danks, i cili ka komunikuar me trajnerin në spital, por ka bërë të ditur se nuk kanë diskutuar për futbollin.
“Thjesht doja të sigurohesha se ishte mirë. Çështjet e futbollit janë në duart tona dhe do të punojmë së bashku për ta çuar klubin përpara”, deklaroi Danks.











