Një automjet është gjetur i djegur rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm në njësinë administrative Urak, në Bashkinë Mat.
Dyshohet se automjeti i përket autorëve që kanë qëlluar me armë zjarri ndaj një makine tjetër, ku mësohet se janë qëlluar mbi 30 plumba.
Për momentin nuk raportohet për persona të plagosur apo viktima.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.09.2026, rreth orës 23:10, në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.
Nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale vetëm në automjetin tip “Audi”.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, ngritën pika kontrolli.
Ndërkohë, në vendngjarje shkoi grupi hetimor.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, kanë konstatuar të djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në zonën ku mund të kenë lëvizur autorët e dyshuar dhe po bashkëpunohet me DVP Tiranë, Lezhë e Kukës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.











