Ilia Topuria ka marrë lajme relativisht të mira pas duelit të ashpër ndaj Justin Gaethje në UFC 250 Freedom, të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas AS, luftëtari gjeorgjiano-spanjoll ka pësuar një frakturë orbitale, por nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Topuria do të marrë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar pas një prej ndeshjeve më të vështira të karrierës së tij.
Pas gati një dite heshtjeje, “El Matador” reagoi në rrjetet sociale, duke uruar kundërshtarin dhe duke pranuar dëmtimet e marra gjatë luftës.
“Justin, urime. The se do të lije shenjën tënde në fytyrën time… dhe e bëre. Më more shikimin në syrin e djathtë në raundin e parë dhe në fund të raundit të dytë edhe në të majtin. Nuk ka justifikime. Mbrëmë ishte nata jote. Do të rikuperohem, do të pushoj dhe do të rikthehem më i fortë, më i mençur dhe shumë më i rrezikshëm. Besomë, kjo histori mes nesh nuk ka mbaruar. Do ta kemi revanshin tonë”, shkroi Topuria.
Lufta u ndal pas raundit të katërt nga vëllai i tij, Aleksandre Topuria, pasi Ilia kishte vështirësi serioze me shikimin për shkak të enjtjes së syve.
Dana White kishte dyshuar menjëherë pas ndeshjes se Topuria mund të kishte frakturë orbitale, duke konfirmuar se ai ishte dërguar direkt në spital pas duelit.
Pavarësisht dëmtimit, Topuria është në gjendje të mirë dhe pranë familjes së tij. Tani, objektivi kryesor është rikuperimi i plotë përpara se të mendohet për rikthimin në kafaz.











