Katër personat që u përfshinë në incidentin në Porto Palermo kanë pësuar djegie ndërsa po punonin për riparimin e motorit të një skafi. Sipas verifikimeve paraprake të policisë, ata kanë qenë në kontakt me benzinën kur ajo dyshohet se është ndezur.
Të plagosurit janë Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu. Pas incidentit, ata janë paraqitur fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Himarës dhe më pas janë transportuar drejt Vlorës për trajtim më të specializuar.
Një prej të dhënave që po hetohet është dyshimi se një cigare e ndezur mund të ketë shkaktuar marrjen flakë të benzinës gjatë punimeve. Ky version mbetet paraprak dhe pritet të sqarohet nga hetimet.
Sipas informacioneve të publikuara, njëri prej të plagosurve ka marrë djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër raportohet me dëmtime edhe më të rënda. Për këtë arsye, të katër janë nisur më tej drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur verifikimet për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi shpërthimi dhe nëse kishte shkelje të rregullave të sigurisë gjatë punimeve.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një tjetër incidenti tragjik në Porto Palermo, ku një 65-vjeçar humbi jetën pas shpërthimit të një lënde plasëse që dyshohet se po përdorte për peshkim të paligjshëm.











