Belgjika po kalon një nisje të vështirë në Botërorin 2026. Pas barazimit 1-1 ndaj Egjiptit, skuadra e Rudi Garcias nuk shkoi më shumë se një 0-0 ndaj Iranit, rezultat që i ka komplikuar ndjeshëm situatën në Grupin G.
Paraqitja e “Djajve të Kuq” ka sjellë shumë kritika, por komenti më i ashpër erdhi nga Zlatan Ibrahimovic. Ish-sulmuesi suedez, tashmë në rolin e analistit, nuk u kursye aspak për ndeshjen e Belgjikës.
“Në pjesën e parë për pak sa nuk më zuri gjumi, në të dytën më zuri gjumi. Nga kjo ndeshje nuk mendoj se ka shumë për të komentuar. Një tjetër barazim, tani të shohim çfarë ndodh në ndeshjen tjetër”, tha Ibrahimovic në FOX Sports.
Trajneri Rudi Garcia kërkoi qetësi pas ndeshjes, duke theksuar se Belgjika ende e ka në dorë fatin e saj.
“Nuk arritëm fitoren dhe kjo është për të ardhur keq, por tani duhet të qëndrojmë të qetë dhe të fokusohemi te ndeshja ndaj Zelandës së Re”, u shpreh Garcia.
Edhe Thibaut Courtois pranoi se problemi kryesor i Belgjikës është mungesa e golit. Sipas portierit, skuadra krijon raste, por nuk po arrin t’i finalizojë.
“Në fund, ajo që na mungon janë golat. Si ndaj Egjiptit, ashtu edhe sot ndaj Iranit, patëm shumë mundësi, por nuk arritëm të shënonim. Kjo është ajo që ndryshon ndeshjet”, tha Courtois.
Belgjika ka vetëm dy pikë pas dy ndeshjeve dhe tashmë ndeshja e fundit ndaj Zelandës së Re kthehet në vendimtare për kualifikimin. Kritikat po shtohen, ndërsa skuadra duhet të reagojë shpejt nëse nuk dëshiron të rrezikojë një eliminim të hershëm.











