Aktivistja suedeze Greta Thunberg ka shprehur publikisht mbështetjen për protestuesit shqiptarë, gjatë një prononcimi nga protesta e zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë.
Thunberg deklaroi se nuk është hera e parë që merr pjesë në protesta në Shqipëri, ndërsa u shpreh se zhvillimet në vend po ndiqen edhe jashtë kufijve dhe se rezistenca e qytetarëve shqiptarë po shërben si frymëzim për lëvizjet e tjera rinore.
Duke iu referuar protestës së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, aktivistja e cilësoi atë si një rezistencë kundër korrupsionit qeveritar, dhunës dhe asaj që ajo e përshkroi si shitje të vendit te imperialistët.
“E gjithë bota është duke e ndjekur dhe është frymëzuar nga lidershipi që populli shqiptar ka treguar gjatë ‘Revolucionit të Flamingove’, që në fakt duket si një rezistencë kundër korrupsionit të qeverisë, dhunës dhe kundër shitjes së vendit të tyre te imperialistët. Bota po ndjek atë që po ndodh dhe unë jam krenare që jam këtu”, u shpreh Thunberg.
Ajo theksoi gjithashtu se betejat për liri në vende të ndryshme janë të ndërlidhura dhe se protestat e të rinjve po krijojnë një valë globale solidariteti.
“Të gjitha betejat tona janë të lidhura dhe ne e dimë që beteja e shqiptarëve për liri është e lidhur me të gjitha betejat tona për liri. Ne po përjetojmë një valë globale protestash të udhëhequra nga të rinjtë, që po frymëzohen nga njëri-tjetri, edhe nga guximi dhe rezistenca që populli shqiptar ka treguar. Është e rëndësishme të tregojmë solidaritet me njëri-tjetrin”, deklaroi aktivistja.
E pyetur për dhunën policore ndaj protestuesve, Thunberg argumentoi se represioni është tregues i ndikimit që, sipas saj, kanë protestat. Ajo shtoi se pamjet e përplasjeve dhe të ndërhyrjes së policisë po qarkullojnë ndërkombëtarisht.
“Po tregohet se njerëzit kanë një impakt, sepse ndryshe nuk do të ushtrohej ky represion. Bota po ndjek të gjitha pamjet që po shpërndahen për dhunën e paprecedentë nga policia dhe shteti”, u shpreh Greta Thunberg











