Autoriteti holandez për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u ka bërë thirrje qytetarëve të mos blejnë syze inteligjente me kamera dhe inteligjencë artificiale, pasi testimet zbuluan gabime që mund të rrezikojnë jetën e përdoruesve. Në një prej provave, syzet i thanë një personi se ambulanca ishte nisur drejt tij gjatë një emergjence të simuluar, megjithëse në të vërtetë nuk ishte telefonuar asnjë shërbim urgjence.
Problemet nuk përfunduan këtu. Në një tjetër rast, pajisja i dha një të rrituri këshilla për të krijuar një marrëdhënie romantike me një të mitur. Testimet e gjashtë modeleve zbuluan gjithashtu gabime në leximin e udhëzimeve të ilaçeve dhe interpretimin e paralajmërimeve për motin e keq. Autoriteti paralajmëroi edhe për rrezikun e filmimit të njerëzve pa dijeninë e tyre dhe për dobësi sigurie që mund t’u lejojnë personave të tjerë të kenë qasje në regjistrimet e kamerës.
Pavarësisht paralajmërimit të fortë, institucioni nuk kërkoi ndalimin e shitjes së këtyre pajisjeve. Shqetësimi përfshin edhe syzet e prodhuara nga kompani të njohura si Meta, TCL, Rokid dhe HTC, megjithëse autoriteti nuk publikoi emrat e modeleve të testuara. Ekspertët paralajmërojnë se teknologjia që premton të na ndihmojë në jetën e përditshme mund të kthehet në rrezik kur përdoruesit i besojnë verbërisht përgjigjeve të inteligjencës artificiale.











