Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të pushojë gjykimin e çështjes së ngritur nga Taulant Balla ndaj Sali Berishës, për akuzat për “Fyerjes” dhe “Shpifjes”.
Sipas njoftimit të GJKKO-së të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Taulant Balla kishte paraqitur më 16 prill 2026 pranë gjykatës kërkesën me objekt “Deklarimin fajtor të akuzuarit Sali Berisha për kryerjen e kundërvajtjeve penale të ‘Fyerjes’ dhe ‘Shpifjes’, të kryera botërisht në dëm të viktimës akuzuese Taulant Balla”, të parashikuara nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal.
Çështja është shqyrtuar nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtari Besmir Strokaj, i cili me vendimin nr. 67, datë 21 shtator 2026, ka vendosur pushimin e gjykimit.
Në vendimin e saj, gjykata ka përcaktuar si pikë të parë **pushimin e gjykimit të çështjes nr. Regj. 111, të regjistruar më 16 prill 2026**, me viktimë akuzuese Taulant Balla dhe të akuzuar Sali Berishën.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të jenë në ngarkim të viktimës akuzuese.
Vendimi nuk është përfundimtar dhe, sipas njoftimit të GJKKO-së, kundër tij mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, duke e nisur këtë afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.











