Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i ka akorduar një medalje ushtarit që e qortoi atë dhe anëtarët e stafit të tij për mungesë respekti në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Specialist Thomas Iglesias u nderua të enjten me Medaljen e Komandimit të Përbashkët të Shërbimit, pas incidentit të ndodhur një ditë më parë, gjatë ceremonisë së Ditës së Veteranëve.
Ngjarja ndodhi pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur, ku Hegseth, bashkëshortja e tij dhe anëtarë të stafit po fotografonin pas ceremonisë. Pasi grupi nisi të qeshte dhe të bisedonte, Iglesias, i cili kishte detyrën e rojës së monumentit, ndërpreu ecjen dhe u kujtoi të pranishmëve se vizitorët duhet të ruajnë heshtjen dhe respektin në çdo kohë.
Të enjten, Hegseth priti në Pentagon ushtarët e njësisë që ruan varrin dhe i dorëzoi Iglesias medaljen për përmbushjen e detyrës së tij. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ushtari kishte vepruar në mënyrë korrekte dhe me respekt, duke u kujtuar të gjithëve të ruanin solemnitetin e vendit. Medalja konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm ushtarak dhe nuk u jepet zakonisht ushtarëve të gradave të ulëta.











