Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato përmes një postimi në “X” ka njoftuar se këtë të mërkurë ka zhvilluar një takim me ambasadorët të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri dhe deputetët e PD Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi. Gonzato thekson se gjatë takimit folën lidhur mbi reformat zgjedhore dhe territorial.
“Sot në Delegacionin e BE-së prita një diskutim të sinqertë dhe të hapur midis ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri dhe znj. Jorida Tabaku dhe z. Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike. Shkëmbyem pikëpamje mbi reformat kryesore dypartiake, siç janë reforma zgjedhore dhe territoriale, si dhe mbi pjesëmarrjen demokratike në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Një proces legjislativ transparent dhe gjithëpërfshirës në Parlament përmes angazhimit aktiv dhe konstruktiv nga të gjitha grupet parlamentare dhe konsultimeve kuptimplote me përfaqësuesit e shoqërisë civile është thelbësor që Shqipëria të miratojë reforma të qëndrueshme në dobi të qytetarëve të saj”, shkruan Gonzato.











