Këtë të martë, më 16 qershor, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e radhës ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në ambientet e gjykatës ishte i pranishëm avokati mbrojtës i tij, Plarent Ndreca, ndërsa vetë Veliaj nuk mori pjesë në seancë.
Përmes një deklarate, Veliaj bëri me dije se ishte në dijeni të zhvillimit të seancës, por nuk dëshironte të merrte pjesë, pasi, sipas tij, nuk i ishin vënë në dispozicion 24 fashikujt e dosjes dhe provat digjitale.
“Kam dijeni për seancën. Nuk dëshiroj të marr pjesë, pasi nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale”, thuhej në deklaratën e tij.
Gjatë seancës, avokati i Veliajt kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me materialet e dorëzuara.
“Ashtu si relatuat, z. Veliaj ka pohuar se ende nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet, akte që ju morët vendim për t’ia vënë. Për të qenë të sinqertë, në orën 03:30 u njoftuam nga sekretaria gjyqësore se janë dorëzuar aktet. Veliajt duhet t’i lihet koha e nevojshme të njihet me to për të pasur mundësinë e një mbrojtjeje efektive”, u shpreh Ndreca.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK-ut, Olsi Dado, kundërshtoi kërkesën për shtyrje të seancës.
“Aktet proceduriale, që vendosi gjykata, u përkasin të pandehurve të tjerë. Bëhet fjalë për episode të veçanta, që u përkasin personave të veçantë. Nuk shoh arsye për të shtyrë seancën”, deklaroi Dado.
Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues vendosi vijimin e seancës, duke argumentuar se materialet e kërkuara nuk përbëjnë shkak për ndërprerjen e procesit.
“Vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për nga natyra e tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës”, u shpreh gjykata.
Kujtojmë se më 27 prill, dosja ndaj Veliajt u nda në dy fraksione, pasi u pranua kërkesa e 11 të pandehurve për gjykim të veçuar. Mes tyre janë biznesmeni Elman Abule dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar.
Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës është parashikuar të zhvillohet çdo të martë në orën 10:00.











