Gjashtë fëmijë që frekuentojnë një kopsht në Korçë janë dërguar në Pediatrinë e Spitalit të Korçës, pasi kanë shfaqur probleme shëndetësore. Fëmijët po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas të dhënave të para, gjendja e tyre nuk është e rëndë.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa janë marrë mostra për të zbuluar nëse problemet shëndetësore lidhen me ushqimin e konsumuar në kopsht. Drejtori i Shëndetit Publik në Korçë, Mikel Llogori, i kontaktuar nga medie, thotë se për momentin nuk mund të përcaktohet shkaku dhe se përgjigjja do të dalë pas analizave.
“Nuk mund të themi ende nëse kemi të bëjmë me helmim ushqimor apo me një infeksion tjetër. Presim rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun”, shprehet Llogori.











