Getafe nuk ka ndërmend të ndalet pas afrimit të Dani Carvajal. Presidenti Ángel Torres ka konfirmuar se edhe Sergio Ramos është në listën e emrave që klubi po vlerëson për merkaton.
I pyetur nëse do ta transferonte ish-kapitenin e Real Madridit, Torres u përgjigj shkurt: “Po”.
Ai zbuloi gjithashtu se ka pasur kontakte me përfaqësuesit e mbrojtësit spanjoll.
“Agjenti i tij, që është edhe vëllai i tij, ka folur me mua”, deklaroi presidenti i Getafes.
Megjithatë, Torres sqaroi se për momentin qendra e mbrojtjes nuk është prioriteti kryesor i José Bordalás, pasi skuadra ka gjashtë qendërmbrojtës dhe trajneri kërkon më shumë përforcime në krahë.
“Është në listën e lojtarëve që mund të transferojmë”, shtoi ai.
Presidenti i Getafes nuk përjashtoi që operacioni të realizohet më vonë, madje edhe gjatë merkatos së janarit.
“Mund të vijë, sepse është diçka që e kemi ndjekur prej kohësh, por nuk ishte prioritet. Ndoshta, nëse jo tani, në janar, nëse vendosim të marrim një qendërmbrojtës.”
Ndërkohë, klubi po punon edhe për mundësinë e afrimit të Jadon Sancho, i cili është lojtar i lirë dhe përshtatet më shumë me kërkesat aktuale të Bordalás.
Në moshën 40-vjeçare, Sergio Ramos mund të rikthehet kështu në futbollin spanjoll, me Getafen që tashmë ka hapur derën për një tjetër emër të madh pas Carvajal.











