Florentino Pérez ka mbajtur një fjalim të gjatë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve përfaqësues të Real Madridit në Valdebebas, ku foli për të ardhmen e klubit, projektet e reja, financat dhe marrëdhëniet me institucionet europiane të futbollit.
Presidenti i Real Madridit përdori tone të forta kur iu referua raportimeve të muajve të fundit rreth situatës së brendshme të klubit.
“Për shumë muaj janë publikuar lajme krejtësisht të pavërteta, duke krijuar idenë se tifozët e Real Madridit ishin të përçarë. Ka qenë një fushatë e organizuar për të marrë kontrollin e klubit”, deklaroi Florentino.
Ai theksoi se anëtarët do të vazhdojnë të jenë pronarët e Real Madridit dhe se, për sa kohë ai të jetë president, nuk do të lejojë që interesat individuale të vendosen mbi ato të klubit.
“E ardhmja e Real Madridit do të vendoset gjithmonë nga anëtarët dhe nga askush tjetër.”
Florentino prezantoi gjithashtu rezultate financiare rekord. Sipas tij, Real Madridi ka regjistruar 1.221 miliardë euro të ardhura operative, ndërsa fitimi pas taksave ka arritur në 26 milionë euro.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe projektit “Infinite Bernabéu”, që po zhvillohet në bashkëpunim me Apple. Synimi është që tifozët në të gjithë botën të mund të përjetojnë virtualisht një ndeshje në “Santiago Bernabéu” përmes syzeve të realitetit virtual.
Presidenti njoftoi gjithashtu se klubi po punon për një sistem të ri global të tifozëve, të ngjashëm me programet e pikëve të kompanive ajrore, ku mbështetësit do të mund të përfitojnë privilegje dhe shpërblime.
Një tjetër deklaratë e rëndësishme ishte afrimi i Real Madridit me institucionet europiane. Florentino konfirmoi se klubi po punon për t’u rikthyer në EFC dhe ECA dhe për të bashkëpunuar sërish me UEFA-n.
“Puna jonë së bashku me ta dhe me UEFA-n do ta bëjë futbollin më të mirë”, deklaroi ai.
Gjatë Asamblesë pati edhe një moment të veçantë me Rafael Nadal. Florentino kërkoi që legjenda e tenisit të ulej pranë tij në tavolinën kryesore, një propozim që u miratua unanimisht nga anëtarët.
Presidenti i Real Madridit përmendi gjithashtu Dani Carvajal, të cilin e falënderoi për kontributin e tij pas përfundimit të karrierës me klubin.
“Dani, faleminderit për gjithçka që na ke dhënë. Do të kesh gjithmonë admirimin dhe dashurinë tonë.”
Asambleja u hap edhe me një minutë heshtjeje në nder të personave të ndarë nga jeta gjatë sezonit.











