Bayern Munich ka marrë dy goditje të rënda në të njëjtën ndeshje ndaj Kölnit, me Harry Kane dhe Michael Olise që u larguan të dëmtuar gjatë pjesës së parë.
Problemi më serioz është ai i Kane. Sulmuesi anglez pësoi një dëmtim në kyçin e majtë në minutën e 18-të, pas një tentative për të goditur topin me kokë.
Kane u largua nga fusha duke çaluar dhe më pas u pa duke dalë nga stadiumi me paterica.
Drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, konfirmoi se bëhet fjalë për një çarje të sindesmozës së kyçit dhe se periudha e rikuperimit pritet të jetë rreth tre muaj.
Situata e Olise është më pak shqetësuese. Francezi ndjeu shqetësime në kyçin e majtë, por arriti të përfundonte pjesën e parë.
Ai nuk u rikthye në fushë pas pushimit, ndërsa Vincent Kompany sqaroi se zëvendësimi ishte kryesisht një masë parandaluese.
“Mendoj se ishte vetëm një masë paraprake. Shpresoj që të ndihet më mirë deri të hënën”, deklaroi trajneri i Bayern.
Dy dëmtimet shtojnë problemet për bavarezët, të cilët kishin tashmë jashtë Luis Díaz, Ismael Saibari, Manuel Neuer, Alphonso Davies dhe Serge Gnabry.
Me Kane jashtë për një periudhë të gjatë dhe Olise në dyshim, Bayern humbet dy prej armëve kryesore të repartit ofensiv në një moment delikat të sezonit.











