Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar nga zjarri që përfshiu lokalin dhe hotelin në Vlorë.
Sipas policisë, 5 prej të lënduarve janë shtetas nga Kosova, ndërsa një tjetër nga Rrësheni.
Shkak sipas hetuesve është bërë një prizë treshe në bar restorantin, në të cilën ishin lidhur 2 frigoriferë. Mbingarkesa elektrike dyshohet se ka qenë shkaku i zjarrit.
“Sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.
Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni).
Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.
Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit”, njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Të gjashtë personat që ndodheshin në hotel kanë tentuar të largohen nga godina. Disa prej tyre, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, janë detyruar të hidhen nga ballkonet. Si pasojë, kanë pësuar fraktura, ndërsa të tjerë kanë marrë djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Një prej vajzave ka pësuar djegie të shumta në trup. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Vlorës, të plagosurit janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegieve.











