Një 24-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se përndiqte dhe kërcënonte një shtetas përmes profileve të falsifikuara në rrjetet sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash.
Policia e Tiranës njofton se operacioni i koduar “Accountet” u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.
Në pranga u vu shtetasi Klevis Gega., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në momentin kur po merrte shumën e parave.
Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se kishte krijuar dhe përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale për të përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e shtrënguar atë që t’i jepte një shumë parash.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një shumë parash dhe dy telefona celularë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.











