Identifikohet i dashuri shqiptar i 46-vjeçares Ornella Forastefano, e cila u dhunua brutalisht për vdekje dhe më pas u la në dyert e spitalit në Kalabri.
Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për Elvis Metvelaj, 40-vjeçarin me origjinë shqiptare, i cili është personi i dyshuar nga autoritetet italiane për vdekjen e Ornella Forastefanos.
Sipas informacioneve paraprake, 40-vjeçari dhe viktima kishin një lidhje prej kohësh, por marrëdhënia e tyre nuk ishte pranuar nga familjarët e 46-vjeçares.
Familja e gruas është e njohur në zonë për përfshirje të mëparshme në hetime të antimafias. Megjithatë, autoritetet italiane bëjnë të ditur se deri në këtë fazë nuk ka elementë që ta lidhin ngjarjen me aktivitetet e mëparshme të familjes.
Sipas mediave italiane, edhe vetë Metvelaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2020 në kuadër të një hetimi për trafik droge.
Një nga pistat që po verifikohet është edhe vendi ku ka ndodhur sulmi ndaj 46-vjeçares. Hetuesit dyshojnë se gruaja mund të jetë transportuar pas dhunës drejt spitalit, ku u gjet e pajetë.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes priten rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore, analizimi i kamerave të sigurisë dhe verifikimi i komunikimeve telefonike. Këto prova pritet të ndihmojnë hetuesit për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së Ornella Forastefanos dhe rolin që ka pasur Metvelaj në ngjarje.











