Luis de la Fuente është shpallur trajneri më i mirë i vitit në kategorinë e meshkujve, duke fituar Trofeun Johan Cruyff në ceremoninë e Topit të Artë 2026.
Pasi përqafoi Rodrin dhe Lamine Yamal, trajneri i Spanjës u ngjit në skenë për të marrë çmimin, duke kurorëzuar një tjetër vit të jashtëzakonshëm në krye të “La Roja”.
De la Fuente u shpall kampion bote këtë verë me Spanjën, ndërsa më parë kishte fituar edhe Euro 2024 dhe Ligën e Kombeve në vitin 2023.
Në garën për çmimin, ai la pas Luis Enrique, Mikel Arteta, Unai Emery dhe Vincent Kompany.
Gjatë fjalimit të tij, De la Fuente u shfaq i emocionuar dhe ia dedikoi suksesin të gjithë skuadrës, stafit dhe familjes së tij.
“Është një nder. Vetëm fakti që isha mes të nominuarve ishte një çmim në vetvete. Dua të përgëzoj edhe kandidatët e tjerë, të cilët e kanë merituar plotësisht të jenë këtu.
Unë e shoh këtë si një arritje kolektive. Kemi një grup të mrekullueshëm lojtarësh dhe një staf teknik fantastik, më të mirët në botë, nëse mund ta them kështu.
Dua të falënderoj Federatën Spanjolle të Futbollit, presidentin, drejtorin sportiv dhe të gjithë stafin. Po ashtu edhe familjen time, ata që janë këtu dhe ata që nuk janë më me ne. Kujtoj prindërit e mi dhe vëllain tim.
Suksesi nuk është fundi. Ky çmim nuk është një objektiv i arritur, por një motivim për të vazhduar. Arritjet individuale janë pasqyrim i një suksesi kolektiv.”
De la Fuente foli gjithashtu për sekretin e suksesit të Spanjës:
“Sekreti është të kesh futbollistë bujarë, me shumë talent dhe karakter. Kjo ka bërë që projekti ynë në Kupën e Botës të dalë edhe më mirë nga sa kishim parashikuar. Ky është suksesi i tyre.”
Me këtë çmim, Luis de la Fuente kurorëzon një cikël të jashtëzakonshëm me Spanjën, pas triumfeve në Ligën e Kombeve, Euro 2024 dhe Kupën e Botës 2026.











