Spanja e nisi Botërorin 2026 me një barazim zhgënjyes ndaj Cabo Verde, por Luis de la Fuente nuk pranon të flasë për krizë.
Kombëtarja spanjolle, e cilësuar si një nga favoritet kryesore për trofeun, nuk arriti të gjente golin ndaj debutuesve afrikanë dhe humbi dy pikë të rëndësishme që në ndeshjen e parë të Grupit H.
Pas takimit, trajneri i Spanjës u përpoq të ruante qetësinë, duke theksuar serinë pozitive të skuadrës dhe besueshmërinë e grupit.
“Kjo skuadër është e besueshme, pa asnjë dyshim. Sot kemi kaluar 32 ndeshje pa humbje. Është një ekip me besueshmëri të jashtëzakonshme. Do të jemi më mirë herën tjetër, jam i sigurt”, deklaroi De la Fuente.
Trajneri pranoi se rezultati nuk ishte ai që prisnin, por theksoi se Cabo Verde u mbrojt shumë mirë dhe e bëri të vështirë ndeshjen për Spanjën.
“Na mungoi qartësia dhe freskia në pasimet e fundit. Ky lloj kompeticioni është shumë i vështirë. Kundërshtari ishte inferior ndaj nesh, por bëri shumë mirë atë që duhej të bënte”, shtoi ai.
Futja e Lamine Yamal dhe Nico Williams i dha më shumë ritëm Spanjës në pjesën e dytë, por as kjo nuk mjaftoi për të thyer mbrojtjen e Cabo Verde.
De la Fuente këmbënguli se skuadra duhet të qëndrojë e qetë dhe të përmirësohet, duke kujtuar se Spanja mbetet kampione e Evropës.
“Asgjë nuk ka ndryshuar për ne. Duhet të përmirësohemi, unë i pari. Nuk jemi këtu rastësisht, të mos harrojë askush që jemi kampionët e Evropës”, u shpreh trajneri.











