Këshilli i Lartë i Sportit në Spanjë (CSD) ka vendosur të veprojë pas deklaratave të Javier Tebas për Real Madrid TV, duke ia kaluar çështjen Gjykatës Administrative të Sportit (TAD).
Presidenti i LaLiga-s dhe njëkohësisht zëvendëspresident i Federatës Spanjolle të Futbollit kishte krahasuar mënyrën e komunikimit të Real Madridit me “mekanizmat e propagandës të përdorura nga Goebbels në Gjermaninë naziste”.
Deklaratat shkaktuan reagime të shumta në futbollin spanjoll, ndërsa tashmë CSD ka kërkuar që TAD të vlerësojë nëse ekzistojnë elementë për hapjen e një procedure disiplinore ndaj Tebas.
“CSD i ka paraqitur këtë të enjte TAD-it një kërkesë të arsyetuar në lidhje me deklaratat e presidentit të LaLiga-s dhe zëvendëspresidentit të RFEF, Javier Tebas, kundër Real Madridit”, thuhet në komunikatë.
Institucioni kërkon të përcaktohet nëse deklarata mund të përbëjë shkelje të nenit 76.4.b të Ligjit të Sportit, që i konsideron shkelje të rënda “aktet publike dhe të dukshme që cenojnë dinjitetin ose etikën sportive”.
CSD thekson se respekti mes personave që mbajnë funksione të rëndësishme në sport është thelbësor për ruajtjen e një mjedisi të shëndetshëm institucional.
Nëse TAD konstaton se ka bazë për procedim, Tebas mund të përballet edhe me masa disiplinore, përfshirë mundësinë e skualifikimit nga funksionet e tij.
Çështja vjen në një moment tensioni të fortë mes presidentit të LaLiga-s dhe Real Madridit, pas kritikave të vazhdueshme të kanalit zyrtar të klubit ndaj arbitrimit në Spanjë.











