Një mbrëmje plot emocione në Champions League, me Manchester United që realizoi një përmbysje të madhe ndaj Romës, ndërsa Interi reagoi fuqishëm pas humbjes në derbi duke mposhtur bindshëm Feyenoordin në transfertë.
Manchester United triumfoi në një ndeshje që dukej e humbur, me Matheus Cunhan protagonist absolut në minutat e fundit.
Roma kaloi në avantazh që në minutën e 11-të, pas një gabimi të Mainoo, ndërsa vetëm pak minuta më vonë fitoi edhe një penallti dhe dyfishoi rezultatin.
United u largua drejt dhomave të zhveshjes mes vërshëllimave të tifozëve në “Old Trafford”, por në pjesën e dytë skuadra reagoi.
Bruno Fernandes ngushtoi diferencën nga pika e bardhë, pasi u detyrua ta ekzekutonte penalltinë dy herë. Goli riktheu besimin në stadium dhe në minutat e fundit erdhi përmbysja.
Cunha realizoi dy herë brenda vetëm tre minutash, nga minuta e 83-të deri në të 86-ën, duke e kthyer rezultatin dhe duke i dhënë Manchester United një fitore të papritur. Braziliani u përjashtua më pas me karton të kuq, por deri atëherë kishte bërë diferencën.
Ndërkohë, Interi mori një fitore shumë më të qetë në Holandë, duke mposhtur 3-0 Feyenoordin në “De Kuip”.
Pas kritikave që pasuan humbjen në derbi, skuadra e Cristian Chivut dha menjëherë përgjigjen e duhur, duke e nisur ndeshjen me intensitet dhe presion të lartë.
Bisseck hapi rezultatin me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Pio Esposito dyfishoi avantazhin pas një aksioni tjetër të nisur nga krahu i djathtë.
Në pjesën e dytë, Zielinski vulosi rezultatin 3-0 me një goditje të bukur me të majtën, duke kompletuar një paraqitje shumë të mirë personale.
Interi kontrolloi ndeshjen pa vuajtur, edhe pse Feyenoord mbajti më shumë topin. Martinez pothuajse nuk u vu në provë, ndërsa zikaltrit shfrytëzuan presionin e lartë dhe rikuperimet në zonat e avancuara.
Për Interin ishte fitorja e dytë radhazi në Champions League dhe një reagim i menjëhershëm pas zhgënjimit në derbi.











