Paris Saint-Germain ka dhënë një tjetër demonstrim force në Champions League, duke shkatërruar Villarrealin në “La Cerámica” pas një fillimi katastrofik të vendasve.
Gjithçka u vendos praktikisht brenda pak minutash. Nga minuta e 9-të deri në të 17-ën, PSG realizoi katër herë dhe e ktheu ndeshjen në një makth për skuadrën spanjolle.
João Neves hapi serinë e golave pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Doué, duke përfituar nga mungesa totale e markimit në zonë.
Vetëm dy minuta më vonë erdhi goli i dytë. Një dalje e gabuar e Gulacsi i dha mundësinë PSG-së të ndërtonte shpejt aksionin, të cilin Désiré Doué e përfundoi në rrjetë.
Villarreal vazhdoi të gabonte në ndërtimin e lojës dhe Senny Mayulu përfitoi për të realizuar të tretin, ndërsa Fabián Ruiz kompletoi nisjen perfekte të parisienëve me golin e katërt.
Vetëm 17 minuta lojë dhe rezultati ishte 0-4.
Në pjesën e dytë, PSG vazhdoi të dominonte. Fabián Ruiz realizoi edhe golin e tij të dytë personal, ndërsa Boly vulosi rezultatin me një goditje të bukur në këndin e portës.
Villarreal nuk arriti të shënonte as golin e nderit dhe tifozët reaguan me vërshëllima ndaj skuadrës si në pushim, ashtu edhe pas përfundimit të ndeshjes.
Shifrat tregojnë qartë diferencën mes dy ekipeve. PSG kontrolloi 70.9% të topit, regjistroi 22 goditje dhe 12 tentativa në portë, ndërsa Villarreal kishte vetëm dy goditje në kuadrat.
Një natë për t’u harruar për Villarrealin dhe një tjetër sinjal force nga kampionët e Europës.











