E ardhmja e John Stones te Interi ka nisur të shoqërohet me pikëpyetje, për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike dhe minutazhit shumë të kufizuar.
Ish-mbrojtësi i Manchester City nuk luan që prej 14 shtatorit, kur u dëmtua në fitoren 5-3 ndaj Udineses. Që atëherë ka humbur gjashtë ndeshje të Serie A dhe tri në Champions League.
Cristian Chivu e riktheu në skuadër për sfidën ndaj Comos, por anglezi qëndroi në stol. Deri tani ai ka grumbulluar vetëm rreth 145 minuta në katër paraqitje gjatë sezonit.
Megjithatë, Chivu vazhdon të besojë te eksperienca dhe cilësitë e Stones, me shpresën se mbrojtësi do të arrijë të rikthehet plotësisht në formë.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, situata mund të ndryshojë nëse problemet vazhdojnë deri në janar. Interi mund të hyjë në merkato për një tjetër mbrojtës dhe, në atë rast, do të duhej të lironte një vend në skuadër.
Një skenar i tillë mund të hapte edhe mundësinë e largimit të Stones apo madje ndërprerjes së parakohshme të kontratës, megjithëse për momentin nuk bëhet fjalë për një vendim zyrtar të klubit.
Eksperienca e 32-vjeçarit mbetet një aset i rëndësishëm, por dëmtimet e shpeshta në sezonet e fundit kanë ngritur dyshime mbi aftësinë e tij për të garantuar vazhdimësi.
Muajt deri në merkaton e janarit pritet të jenë vendimtarë për të ardhmen e tij në Milano.











