Barcelona po zgjeron strategjinë për zbulimin e talenteve të rinj dhe këtë herë fokusi është te Brazili.
Klubi katalanas ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi pesëvjeçare me Sfera FC, një organizatë në shtetin e São Paulos që merret me identifikimin dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Ideja e drejtuesit sportiv Deco është e qartë: Barcelona dëshiron të identifikojë talentet sa më herët, përpara se vlera e tyre të rritet dhe gara me klubet e tjera europiane të bëhet më e vështirë.
Marrëveshja do t’i japë Barçës mundësinë të ndjekë nga afër zhvillimin e lojtarëve të Sfera FC dhe të vlerësojë nëse ata përshtaten me filozofinë e klubit.
Një pjesë e talenteve do të mund të udhëtojnë përkohësisht në Barcelonë për të stërvitur në La Masia, për t’u njohur me metodologjinë e klubit dhe për t’u vlerësuar nga stafi teknik.
Nëse bindin, objektivi është që disa prej tyre të mund të bashkohen në të ardhmen me akademinë e Barcelonës, veçanërisht me ekipet e niveleve të larta të të rinjve.
Bashkëpunimi parashikon gjithashtu shkëmbim njohurish mes stafeve teknike të dy strukturave.
Për Barcelonën, kjo marrëveshje është një tjetër hap në përpjekjen për të siguruar një avantazh në garën për talentet e së ardhmes.











